Lideri i tabelës në Ligën e Dytë Perëndim të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Gostivari regjistroi triumf në duelin në shtëpi të raundit të tetë kundër Vardarit të Forinës me rezultat minimal 1-0. Deri më tani, Gostivari është i pamposhtur këtë sezon, ata kanë dy barazime dhe gjashtë fitore. Golin e fitores në këtë duel e shënoi Maliq Beluli në minutën e 81-t.
Ndeshja në Bogovinë, mes Dritës dhe “Skopjes” nga Shkupi kaloi pa fitues dhe pa gola, kështu që të dy trajnerët duhej të ishin të kënaqur me vetëm një pikë secili (0-0).
Në 15 minutat e fundit të ndeshjes, Veleshta arriti të bënte një kthesë dhe të fitonte ndaj Vëllazërimit nga Kërçova me rezultat 2-1 dhe kështu tani është barazuar me pikë me “Skopjen” e vendit të dytë në tabelë.
Mysafirët morën epërsinë në fillim përmes Albulen Imerit, i cili shënoi për 0-1 në minutën e 14-të. Vëllazërimi mbajti avantazhin për një kohë të gjatë, por dështoi deri në fund. Ishte minuta e 76-të, kur Altin Lloga shënoi golin e tij të parë dhe në sekondat e fundit me golin e dytë, Lloga vendosi fituesin 2-1.
Korabi me golin e Filip Aleksovskit nga pika e bardhë fitoi tre pikët në ndeshjen me Ohrin (1-0). Skuadra nga Dibra, me triumfin e sotëm mbeti në garën për renditjen më të lartë. Java e tetë mbyllet nesër me duelin Teteksi – Kadino në Tetovë.