Bylbyl Sokoli pritet të emërohet shumë shpejtë shef i ri i shtabit teknik te SC Gjilani. Gazeta “Sheshi” ka raportuar gjatë ditës për arritjen e marrëveshjes dhe ka raportuar për ditën e zyrtarizimit të saj, teksa “Profa” pritet të rikthehet edhe njëherë tjetër në familjen ‘kuqebardh’, aty ku ishte para katër vitesh.
Bisedimet ndërmjet drejtuesve të klubit gjilanas dhe Sokolit janë zhvilluar brenda javës, teksa ai ishte gjithmonë në ‘pole position’ për të marrë udhëheqjen e ekipit.
Kontaktet e para janë vënë në fillimin e javës, teksa e premtja (11 dhjetor) ka qenë dita kur edhe palët janë dakorduar për të filluar bashkëpunimin.
Përveç Sokolit në opsion për nënkampionët e vendit ishte edhe trajneri tjetër i njohur kosovar, Afrim Tovërlani.
Këtë herë gjilanasit ishin të bindur për një trajner kosovar, pavarësisht se pranë tyre kishin një varg opsionesh dhe shumë CV të ndryshme.
Mirel Josa, Orges Shehi, Emmanuel Egbo, Alan Clark dhe Jeton Beqiri ishin disa nga emrat që ishin përfolur se mund të merrnin drejtimin e nënkampionëve të vendit, mirëpo pa patur ndonjë gjë konkrete.